22 August 2010

T'u Rrit Nera Zoti Berisha

The Prime Minister of Albania Mr. Sali Berisha (Photo by Këshilli i Ministrave)

Zbulimi i ri arkeologjik në Apolloni, që thuhet se pasqyron portretin e një atleti, apo aristokrati romak, është një ngjarje e bujshme për të gjithë adhuruesit e artit, dhe padyshim atyre të skulpturës në veçanti. Kemi të bëjmë me një bust të mermertë burri, të zhveshur, i cili i përket shkollës romake, dhe mendohet se daton në shekullin e dytë pas krishtit. Ajo që më ra në sy, në këtë atmosferë të hareshme, s'është gjë tjetër veçse deklarata e kryeministrit shqiptar Sali Berisha, e cila mund të gjendet edhe në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Thotë kryeministri ynë i dashur në fjalën e tij, e cila u mbajt në Muzeun Arkeologjik (Tiranë),Qendrën e Studimeve Albanologjike:
“Vlerat e tij (e bustit) janë të jashtëzakonshme në rrafshin
krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptar.”

Vrava mëndjen se nga i kishte parë vallë shqiptarëtshekullin e dytë të erës sonë, në Apolloni, lideri ynë politik, kërkova po kështu edhe për arbërorët, bile edhe për ilirët, përmes syve ngulmues të bustit të sapoardhur në dritë. Iu afrova atij. E pyeta edhe një herë përmes zallamahisë së turmës, me shqipen time më perfekte, nëse ndihej edhe ai një hallkë e "perjetësisë së kombit shqiptar" duke shpresuar se mos ndoshta nuk më kishte dëgjuar më parë. Vërejta në vështrimin e mikut të konturohej fillimisht lodhja, më pas apatia, bezdia, madje edhe revolta ndaj atyre dhjetra krijesave (sigurisht edhe ndaj meje) të cilat flisnin një gjuhë të pakuptueshme, dhe që në mënyrën më të pacipë nuk respektuan aspak udhëtimin e tij qindravjeçar. Diçka llomotiti latinisht nëpër dhëmbë, dhe u gurëzua sërish, duke gëlltitur kështu brenda tij edhe misterin e "përjetësisë shqiptare" të cilin kaq qartë kishte dalluar qysh në fillim kryeministri ynë i nderuar.

"Shqipëria është një vend i vogël, por me një pasuri të
jashtëzakonshme në gjirin e saj, ky territor ka njohur qytetërime të shumta, perandori dhe perandor, por ajo që e bën shumë të veçantë është se në të gjitha kohërat eci si një komb me identitetin e tij të sotëm." (Sali Berisha)

Duke u përpjekur të ruaj gjakftohtësinë, ndonëse pjesëmarrës edhe unë në sofrën nga ku lidershipi ynë na serviri çorbën e mësipërme, mendova thjesht se tanimë këto fjalë patetike nuk habisin kërkënd. Janë vazhdimësia llogjike e injorancës së klasës në pushtet në relacion me historinë në tërësi, por padyshim edhe me atë të artit, që në fund të fundit është edhe e keqja më e vogël. Bile do të shkoja edhe më tej, mendoj se pas tyre është kaq evident edhe manipulimi më flagrant i historisë. Zoti Berisha është pikërisht zëdhënësi dhe kultivuesi më konseguent i kësaj injorance historike, ashtu sikurse një pjesë dërrmuese e klasës politike, apo edhe e historianëve dhe historiografisë shqiptare. Degradimi i mjaft prej hallkave sociale, shtetërore, politike, ekonomike, kulturore në Shqipërinë e sotme mund të perceptohet më lehtësisht kur arrin të kuptosh ngritjen e vërtetë intelektuale të udhëheqësve që kontrollojnë jetën politike këto dy dekadat e fundit.
E atëherë më erdhi ndër mend shprehja se "Ky stan këtë Bulmet ka".

Roman bust from the 2nd century AD found at the Apollonia, Albania. (Photo by Press.Publiku.Com)